"Institucionet të luajnë rol më proaktiv", PDK e shqetësuar me raportimet për vështirësi financiare të ekipit mbrojtës së Thaçi
Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me informatat për vështirësitë financiare të ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi.
Në reagimin e PDK-së pas mbledhjes së Kryesisë thuhet se “mbrojtja e të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, pa dallim, nuk është çështje e interesit politik, por obligim ligjor, shtetëror dhe shoqëror”, duke u kërkuar institucioneve “rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët”.
Më tej nga PDK kanë ftuar anëtarësinë që të kontribuojnë në fondet për mbrojtjen juridike të të gjithë çlirimtarëve të Kosovës të cilët janë në Hagë.
Reagimi:
Partia Demokratike e Kosovës është e shqetësuar në lidhje me informatat për vështirësitë financiare të ekipit mbrojtës të Presidentit Hashim Thaçi. PDK e kupton se në një situatë të ngjashme janë edhe ekipet mbrojtëse të të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, të cilët po mbrojnë luftën e drejtë të popullit tonë për liri. Për PDK-në, mbrojtja e të gjithë çlirimtarëve tanë në Hagë, pa dallim, nuk është çështje e interesit politik, por obligim ligjor, shtetëror dhe shoqëror. Prandaj, PDK kërkon nga institucionet e Republikës së Kosovës që të luajnë një rol më proaktiv dhe gjithëpërfshirës, për të garantuar një mbrojtje të drejtë dhe efikase për të gjithë çlirimtarët tanë. PDK, po ashtu, fton të gjithë anëtarësinë dhe mbështetësit e saj që të kontribuojnë, sipas mundësive të tyre, në fondet për mbrojtjen juridike të të gjithë çlirimtarëve të Kosovës të cilët janë në Hagë.