"Institucionet ta kryejnë punën e tyre", Dioqeza e Rashkës-Prizrenit bën thirrje që "toka t’i kalojë Manastirit të Deçanit"
Institucionet e Kosovës nuk kanë kontakuar me Dioqezën e Rashkës-Prizrenit apo Manastirin e Deçanit në lidhje me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Kjo është bërë e ditur nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.
Ata kanë theksuar se për vite me radhë kanë dëgjuar deklarata të zyrtarëve të lartë të Kosovës se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit “nuk është sjellë ligjërisht dhe nuk mund të zbatohet”, në këtë kontekst “duhet të ketë një dialog kishtar për të”.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë për REL se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë. Ai gjithashtu ka thënë se nuk beson se Qeveria do të kërkojë zbatimin e vendimit. Ai ka shtuar se “nuk beson se Qeveria do ta kërkojë një gjë të tillë”.
Nga Dioqeza e Rashkës-Prizrenit kanë deklaruar se "ekzekutimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese tash e tetë vjet” është zvarrritur për shkak se rasti i regjistrimit të tokës në kadastër është bartur vazhdimisht nga niveli komunal në atë qendror.
“Presim që institucionet e Kosovës, më në fund, ta kryejnë punën e tyre në përputhje me ligjin, ta regjistrojnë tokën tonë në kadastër dhe t’i lëshojnë manastirit një vërtetim pronësie, në përputhje me vendimin e Gjykatës. Besojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm për sundimin e ligjit”, thuhet në përgjigje.
Sipas burimeve REL-it, qeveria e kryeministrit Kurti është në fazën e diskutimeve për implementimin e këtij vendimi me autoritetet lokale në Deçan dhe aktorët e tjerë të përfshirë, para seancës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.