Inspektorati policor i Kosovës: Kemi filluar hetim preliminar për pretendimet se është keqtrajtuar aktivisti serb
Gjatë ditës së djeshme, një aktivist i respektuar serb i shoqërisë civile nga veriu i Mitrovicës pretendoi se ishte keqtrajtura verbalisht dhe fizikisht nga zyrtarë të Policisë së Kosovës afër Jarinjes. Dhe, Inspektorati i Policisë tashmë e ka konfirmuar se kanë nisur hetimet preliminare.
Për këtë rast shkroi gjatë ditës së djeshme edhe ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla. Mes tjerash, ai u shpreh se ishte bindur “me sjelljen shembullore të zyrtarëve policorë” derisa njoftoi se kishte kërkuar raport nga zyrtarët dhe hetim të pretendimeve nga Inspektorati Policor.
E sot, në një përgjigje për gazetën Nacionale, Inspektorati i Policisë e konfirmoi një gjë të tillë:
“Duke iu referuar kërkesës tuaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare dhe kërkesës nga Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar një hetim preliminar për të verifikuar pretendimet e ankuesit. Veprimet tjera do të ndërmirren konform autorizimeve ligjore të IPK-së.”
Çka u pretendua?
Organizata joqeveritare AKTIV, drejtor i të cilës është z. Milliqeviq, pretendoi se dje në veri të Kosovës ky i fundit i isthe “ekspozuar abuzimit fizik dhe verbal nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës”.
Politikani serb nga veriu, Aleksandër Arsenijeviq, i tha dje Nacionales se kishte folur me Milliqeviqin dhe se ishte i shqetësuar për atë që i kishte ndodhur.
“Ai është njeri me integritet... nuk do të gënjente për një gjë të tillë,” – u shpreh ai.
Nacionale deri tash nuk ka arritur të verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime.