Ikja e punëtorëve, kryetari i Odës Ekonomike: Gastronomia e ndërtimtaria do të preken më së shumti
Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ku ka folur për shumë tema të sektorit të ekonomisë.
Duke folur për trendin e ikjes së punëtorëve, Rafuna është shprehur i shqetësuar.
“Është një shqetësim që ka ekzistuar që dy vitet e fundit e nuk e kemi vetëm me rastin e liberalizimit të vizave, mirëpo dy vitet e fundit kemi një lëvizje të rinjve dhe të rejave nga Kosova, si të fuqisë punëtore të kualifikuar dhe asaj të pa kualifikuar”, theksoi ai.
Sipas Rafunës, sektori i gastronomisë do të preket më së shumti nga ikja e punëtorëve.
“Po nga ikja e punëtorëve, më së shumti do të jenë të prekur sektori i gastronomisë, sektori i ndërtimtarisë, dihet që këtu dominon përqindja më e lartë e fuqisë punëtore të pakualifikuar dhe ata janë fuqia punëtore e pakualifikuar janë më shumë të prirë që të dalin jashtë. Nuk them që s’janë edhe fuqia punëtore e kualifikuar, mirëpo kjo e pakualifikuar është më e prirë që të dalin jashtë dhe të kërkojnë kushte më të mira”, deklaroi ai.