IKD: Gjyqtarët kanë zgjidhur 115 lëndë më pak sesa që janë të obliguar - NACIONALE

IKD: Gjyqtarët kanë zgjidhur 115 lëndë më pak sesa që janë të obliguar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord i ngritjes së numrit të lëndëve kontestimore të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti. Viti 2021 është mbyllur me mbi 85 mijë lëndë të pazgjidhura të cilat janë bartur nga viti pasues. Nga viti 2018 e deri në përfundim të vitit të kaluar është dyfishuar numri i lëndëve të natyrës civile.

Kështu thuhet në raportin “Regresi i drejtësisë civile”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku veç tjerash është përmendur edhe mosefikasiteti i gjyqtarëve në trajtimin e këtyre lëndëve.

Sipas IKD-së, gjyqtarët nuk kanë respektuar rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kanë zgjidhur 115 lëndë më pak se sa që janë të obliguar.

Në publikimin e raportit, hulumtuesi Gzim Shala nga IKD tha se në punën e divizioneve civile ka një regres të caktuar në trajtimin e lëndëve.

“Në punën e divizioneve civile është gjetur se tanimë kemi të bëjmë me një regres të caktuar në kuptim të trajtimit të lëndëve. Krahas problematika të theksuara të cilat kanë qenë në sistemin e drejtësisë, në këto problematika jashtëzakonisht shumë ka ndikuar edhe aspekti i institucioneve të administratës publike. Mënyra se si i kanë administruar ato obligimet e tyre e ka rënduar edhe gjendjen në sistem të drejtësisë. Po ashtu kemi gjetur edhe qasje selektive në rastet gjyqësore dhe në zbatim të standardeve të kërkuara për një gjykim të drejtë”, ka thënë ai.

Po ashtu, në prezantimin e raportit, Anesa Hoxha nga IKD u shpreh se nga viti 2018 deri në 2021, numri i lëndëve të pazgjidhura është dyfishuar.

“IKD gjatë vitit 2021 ka monitoruar 1166 raste të natyrës civile. 911 apo 78,1 për qind janë mbajtur, ndërsa 255 të tjera, apo 21,9 për qind janë shtyrë. Sipas këtyre të dhënave i bie që çdo e pesta seancë është e shtyrë. Kjo për arsyeje të ndryshme, ku ka kryesuar mungesa e paditësit. Mirëpo, edhe për arsyeje të gjykatësve. Seancat janë shtyrë në 24,7 për qind të rasteve. Konsiderohet se një nga problemet kryesore të drejtësisë civile në Kosovë e që supozohet se kjo ngarkesë ndikon edhe në cilësinë e vendimeve civile të nxjerra nga gjykata, IKD ka gjetur se viti 2021 ka shënuar një rekord të rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura e të cilat barten vit pas viti. Nëse e shohim kronologjikisht prej viti 2018 deri në fund të vitit 2021, numri i lëndëve te pazgjidhura pothuajse është dyfishuar. Ku derisa në vitin 2018 numri ka qenë 44,213 lëndë, në vitin 2021 ky numër është rritur në 85, 087 lëndë”, ka thënë Hoxha.

Lajme të ngjashme