“I zhgënjyer” me reagimin e Ukrainës, Trumpi thotë se është dashur të bëhej marrëveshje më herët
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka kritikuar Ukrainën, pasi presidenti i saj, Volodymyr Zelensky, tha se ishte “befasi” që vendi i tij nuk ishte ftuar në bisedimet në Arabinë Saudite mes ShBA-së e Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duke thënë se ishte “i zhgënjyer” me reagimin e Ukrainës, Trumpi u duk sikur e fajësoi Kievin për fillimin e luftës, duke thënë se ky shtet “ka mundur të bënte një marrëveshje më herët”, raporton televizioni BBC.
Duke folur para gazetarëve në rezidencën e tij në Florida, Trumpi u pyet nga televizioni britanik se cila ishte porosia e tij për ukrainasit që mund të ndihen të tradhtuar.
“Dëgjoj se ata janë të zemëruar që nuk patën një ulëse, epo mirë, ata kanë pasur një ulëse për tri vjet dhe një kohë të gjatë para asaj. Kjo ka mundur të zgjidhej shumë lehtë” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Nuk duhej ta fillonit kurrë. Do të mund të bënit një marrëveshje” – shtoi ai më vonë.
“Unë do të mund të bëja një marrëveshje. Ajo do t’ua kishte dhënë atyre gati tërë tokën, gjithçka, gati tërë tokën – dhe asnjë njeri nuk do të vritej dhe asnjë qytet nuk do të shkatërrohej” – tha më tej presidenti amerikan.
Pas takimi të delegacioneve të ShBA-së dhe Rusisë në Riad të Arabisë Saudite të martën, Trumpi tha se ka “shumë më shumë besim”. “Ata (rusët) ishin shumë të mirë. Rusia dëshiron që të bëjë diçka. Ata duan që ta ndalin barbarizmin mizor. Mendoj se ata e kanë fuqinë për ta përfunduar këtë luftë” – shtoi ai./Nacionale