I mori mbi 600 euro duke i premtuar një qytetari se do t’ia kryente punët, arrestohet zyrtari në Kaçanik
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person është arrestuar në Kaçanik për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ai dyshohet se, përveç dokumenteve të rregullta, kishte kërkuar edhe dokumente shtesë, për të cilat qytetari do të duhej të paguante mbi 600 euro në një kompani private gjeodezike.
“Dyshohet se personi, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, përveç dokumentacionit të rregullt për leje të ndërtimit, i kishte kërkuar viktimës dokumente shtesë (projekte), të cilat do t’ia kompletonte ai, për t’i paguar më pas shumën mbi 600 euro te një kompani private gjeodezike. Pasi viktima kishte marrë lejen, kishte vërejtur se dokumentet për të cilat kishte bërë pagesën nuk figuronin në dosje dhe, me këtë rast, e njoftoi Policinë”, thuhet nga Policia e Kosovës.