I dhanë 50 mijë për t’ua marrë 800 mijë euro – Gjykata në Gjilan cakton paraburgim për 3 të dyshuar - NACIONALE

I dhanë 50 mijë për t’ua marrë 800 mijë euro – Gjykata në Gjilan cakton paraburgim për 3 të dyshuar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Gjilan, u ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji N.S., A.S. dhe B.S., të cilët dyshohet se në bashkëkryerje u japin fillimisht 50 mije euro me fajde të dëmtuarve dhe në vazhdimësi kanë bërë presion tek ta t’ua paguajnë fajden prej 20% mujore, duke arritë shumën e dëmit prej 800 mijë euro.

Po ashtu, ata dyshohet se ju kanë marrë të dëmtuarve automjetet “Range Rover”, “Mercedes” dhe “Tiguan”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një gjë e tillë është bërë e ditur përmes një komunikate për medie, të premten nga gjykata në fjalë.

Sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit nga koha e pa përcaktuar e deri më datë 31 gusht 2022, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar pa përvojën e viktimave duke i detyruar të dëmtuarit të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe i kanë sjellë në gjendje të rëndë financiare, ashtu që fillimisht të dëmtuarve ua japin shumën prej 50 mije euro, me fajde dhe në vazhdimësi u kanë bërë presion që viktimat t’ua paguajnë fajden prej 20 % mujore, duke e arritur shumën e dëmit prej 800 mijë euro.

Në komunikatë thuhet se, të dyshuarit ju kanë marrë të dëmtuarve edhe automjetet të tipit “Range Rover”, “Mercedes” dhe “Tiguan”, si dhe më 31 gusht të këtij viti, janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës, duke hartuar kontratë kinse për shitblerje e cila ka qenë kontratë fiktive dhe ka qenë palujtshmëria të cilën të pandehurit ia kanë marrë nga të dëmtuarit për fajde.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se ka kryer veprat penale, “Fajdeja” dhe “Detyrimi”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi

Lajme të ngjashme