Hoxhaj kritikon politikën e jashtme të Kosovës: Naivitet që dëmton pozicionin ndërkombëtar - NACIONALE

Hoxhaj kritikon politikën e jashtme të Kosovës: Naivitet që dëmton pozicionin ndërkombëtar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar politikën e jashtme të vendit përmes një video-adresimi në Facebook, duke e cilësuar atë si të papërgatitur dhe naive në fillim të vitit 2025.

Ai ka theksuar dy raste konkrete që, sipas tij, pasqyrojnë këtë qasje të gabuar: vizita e një politikani kosovar në Taipei, ku u bënë krahasime mes Kosovës dhe Tajvanit dhe u dhanë deklarata të diskutueshme mbi industrinë ushtarake të vendit; si dhe përvjetori i tretë i luftës në Ukrainë, ku ai vlerëson se barazimi i situatës së Kosovës me atë të Ukrainës është i pasaktë dhe mund të dëmtojë pozicionin ndërkombëtar të vendit.

“Kur në vitin 1975 ishte vendosur që Trieshta t’i takonte Italisë dhe jo Jugosllavisë, në një fshat të Kosovës u mblodhën disa komunistë jugosllavë të cilët në një mblodhi urgjente e nxorën një qëndrim dhe dërguan në telegram porosinë që “jetën e japin e Trieshtën nuk e japin”. Kështu më duket politika e jashtme e Kosovës në fillim të vitit 2025 dhe janë dy ngjarje të cilat e tregojnë një gjë të tillë. Javën e kaluar një politikan nga Kosova qëndroi në Taipei, nga Azia sulmoi Evropën, krahasoi Tajvanin me Kosovën dhe tha që industria ushtarake në Kosovë është më e zhvilluar se ajo e Francës

“Dje ishte përvjetori i tretë i luftës në Ukrainë, natyrisht që pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti i Ukrainës janë të rëndësishme për Evropën dhe për Kosovën, por është e gabuar që fati i Kosovës të barazohet me të Ukrainës kur kjo e fundit është në luftë. Është e gabuar kur ditën e njëjtë amerikanët dhe evropianët janë të ndarë me dy Rezoluta të ndryshme në Këshill të Sigurimit. Nëse Perëndimi është i përçarë për tema ndërkombëtare, nuk ka nevojë që politika e jashtme e Kosovës ta përçojë atë në raport me shtetin tonë. Prandaj, deklaratat e tilla mua ma kujtojnë naivitetin dhe barsoletën e Trieshtës”, ka deklaruar ai.

Lajme të ngjashme