Hoxhaj i PDK-së: Histeria e rrejshme se Ukraina do ta njohë Kosovën, ka qenë shpikje politike e brendshme - NACIONALE

Hoxhaj i PDK-së: Histeria e rrejshme se Ukraina do ta njohë Kosovën, ka qenë shpikje politike e brendshme

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet gjithherë të mbajë qëndrime me aleatët evropian dhe amerikan.

Përmes një postimi në Facebook, Hoxhaj ka thënë se histeri që Ukraina do ta njohë Kosovën është e rrejshme dhe është shpikje e politikave të brendshme dhe s’kishe asgjë të bënte me realitetin.

Ai tutje tha se Ukraina synon afrim me Serbinë duke keqpërdorur Kosovën.

Postimi i plotë:

Kosova duhet gjithherë të mbajë qëndrime në vijë me aleatët amerikanë dhe evropianë. Që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014 e deri sot kur po ndodh agresioni rus në Ukrainë, Kosova ka mbajtur qëndrim parimor dhe është rreshtuar me aleatët e saj në përkrahje të Ukrainës. Në vitin 2014 kur isha Ministër i Jashtëm sanksionet e para ndaj Rusisë nga Ballkani i vendosëm ne. Por, kjo përkrahje nuk është përkthyer në ndryshim qëndrimi të Ukrainës ndaj Kosovës. Këtë ia kam thënë atë kohë disa herë edhe homologut tim ukrainas Pavlo Klimkin dhe të tjerëve pas tij!

Histeria e rrejshme e krijuar javët e fundit se Ukraina do ta njohë Kosovën, ka qenë shpikje politike e brendshme dhe s'kishte asgjë të bënte me realitetin e jashtëm! Më shumë shpërfaqë mungesën e gjykimit se çka mendon Kievi në të vërtetë dhe realiteti është që Ukraina synon afrim me Serbinë dhe rregullim raportesh me të në kontekst të agresionit rus, duke keqpërdorur Kosovën dhe qëndrimin e saj parimor. Kjo, u dëshmua më së miri nga vizita e Kryeministrit Kurti në Greqi, i cili ishte i vetmi nga rajoni që nuk pati takim bilateral me Zelenskyn! E këtu, tregohet politika e vërtetë e Ukrainës ndaj Kosovës dhe tregon fundin e histerisë mashtruese të Qeverisë Kurti rreth njohjes nga Ukraina!

Lajme të ngjashme