Hoti: Tërheqja e mjeteve nga trusti është zgjidhja e vetme për qytetarët
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, është shprehur pro miratimit të Projektligjit, i cili ua mundëson qytetarëve tërheqjen e 30% nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Në adresimin e tij para deputetëve, ku po shqyrtohet ky projektligj, ai ka thënë se kjo është zgjidhje e vetme për qytetarët.
Ai ka përmendur krizat nëpër të cilat ka kaluar Kosova në dy vitet e fundit.
Hoti ka thënë se shtrenjtimi i energjisë elektrike, rritja e çmimit të naftës dhe rritja e çmimeve të konsumit ka vështirësuar jetën e qytetarëve.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar si dihet ndaj këtyre krizave.
Me tej, Hoti ka vlerësuar se kriza është thelluar edhe nga mungesa e investimeve kapitale.
Sipas tij, veprimi i qeveris për ndaljen e investimeve kapitale ishte i gabueshëm.
“Me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e qeverisë mungon është e natyrshme që opozita të propozon masa siç është tërheqja e kursimeve pensioneve nga trusti. Kjo nuk është zgjidhja e duhur, sigurisht. Gjithkush e ka të qartë se nuk mund të tejkalohet kriza sociale me tërheqje të mjeteve nga trusti, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve”, ka thënë Hoti.