Hoti: Solidarizohemi me popullin mik të Turqisë në dënimin e sulmit dhe lutemi me ta për familjet e viktimave
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, iu ka shprehur ngushëllime të gjithë familjareve të viktimave pas sulmit të sotëm në Stamboll të Turqisë.
Hoti përmes një postimi në Facebook ka shkruar se aktet e tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa këtyre duhet të marrin dënimin e merituar.
“Ngushëllime familjeve të viktimave nga sulmi i sotëm terrorist në Stamboll. Akte të tilla të shëmtuara duhet të ndalen dhe ata që qëndrojnë prapa tyre duhet të marrin dënimin e merituar. Solidarizohemi me popullin mik të Turqisë në dënimin e sulmit dhe lutemi me ta për familjet e viktimave”, ka shkruar ai.
Siç raportojnë mediat, dyshohet për një sulm kamikaz. Një gazetar i Al Jazeera me bazë në Stamboll tha se "ka dyshime të forta se shpërthimi është shkaktuar nga një kamikaz", duke shtuar se "ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar".
Ai thekson se shpërthimi ka tronditur qytetarët e Stambollit duke pasur parasysh se kohët e fundit nuk ka pasur asnjë paralajmërim për një sulm të mundshëm në qytet. Por masat e sigurisë në qytet ishin në nivel të lartë, tha ai.
