Hoti pas heshtjes së pushtetit për gazin: Miqësia me Amerikën nuk është kartë politike-është interes jetik për Kosovën - NACIONALE

Hoti pas heshtjes së pushtetit për gazin: Miqësia me Amerikën nuk është kartë politike-është interes jetik për Kosovën

3 javë më parë

nga NACIONALE

Kosova, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, po vazhdon me qasje injoruese ndaj thirrjes së SHBA-së për kyçjen në gazin amerikan. Për këtë ka reaguar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se kjo është alarm për të ardhmen e Kosovës dhe se rrezikohet të mbesim jashtë projekteve të mëdha energjetike.

Hoti gjithashtu ngriti shqetësimin se, përveç rrezikut për të mbetur jashtë projekteve të mëdha energjetike, Kosova po humb edhe investime dhe po dobëson lidhjen me aleatin më të madh, SHBA-në.

“Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Jo më larg se dje, në një intervistë për KosovaPress, zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, tha se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.

Reagimi i plotë i Hotit:

Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës.

Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi.

Për vite me radhë, SHBA ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira. Sot, në vend që të shfrytëzojmë një mundësi për zhvillim, siguri energjetike dhe ekonomi më të fortë, po shohim një qasje që po na largon nga miqtë tanë.

Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë: energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në është themel i shtetit tonë.

Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euroatlantike.

Çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike — është interes jetik i Kosovës. /Nacionale

Lajme të ngjashme