Hill për dialogun Kosovë-Serbi: Në tavolinë s’është njohja, por normalizimi
Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbi, ka bërë një deklaratë, përmes së cilës ka qartësuar mënyrën se si e lexon dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Sipas ambasadorit amerikan në Beograd, palët e përfshira në dialog e dinë se çfarë ka në tavolinë.
“De fakto kjo nënkupton që ata duan një lloj procesi të normalizimit. E di që fjalët janë të rëndësishme. Fjalët çojnë peshë sidomos në kohë zgjedhjesh. Sidoqoftë, nuk dua të lëshohem në lojë fjalësh. Po them se të dyja palët e dinë se çfarë ka në tavolinë. Serbia në thelb e ka pranuar atë”, u shpreh Hill, transmeton Klan Kosova.
Në sytë e Hillit, në tavolinë nuk ka njohje, por normalizim.
“Çfarë ka në tavolinë, natyrisht, njohja s’është. Ajo që është, është normalizimi. Mendoj po ashtu që situata duhet normalizuar. Njerëzit në veri të Kosovës duhet zgjuar në mëngjes duke ditur se si duket jeta e tyre” – shtoi ai.