Hill: ''Ballkani i Hapur'' është i rëndësishëm për komunitetin e biznesit dhe kërkon bashkëpunim nga vendet e rajonit
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, hapi sot konferencën e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Serbi ‘’ Bashkëpunimi ekonomik rajonal – Ballkani i Hapur: çfarë mund të presë ekonomia?’’.
Në konferencë Hill tha se ‘’Ballkani i Hapur’’ nuk është një proces që udhëhiqet dhe mund të zbatohet nga vetëm një vend i Ballkanit Perëndimor, por nga të gjitha vendet, prandaj bashkëpunimi i ndërsjellë është shumë i rëndësishëm- raporton Kosovo Online.
"Unë mendoj se projekti ‘Ballkani I Hapur’ është veçanërisht i rëndësishëm për komunitetin e biznesit. Roli i Dhomës Amerikane të Tregtisë është të bashkojë dhe rrjetëzojë të gjitha tregjet e Ballkanit Perëndimor’’- tha Hill.
Në këtë konferencë morrën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Tregtisë së Brendshme, Tomislav Momiroviq dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Tatjana Mishçeviq.
Mishçeviq tha se Serbia dhe vendet e rajonit nuk shpikin standarde për harmonizim reciprok dhe liberalizim të tregut të Ballkanit Perëndimor dhe nuk bëjnë rregulla të reja, por i marrin ato nga zgjidhjet ekzistuese në praktikën e Bashkimit Evropian.
Ndërsa Momiroviq tha se ‘Ballkani i Hapur’ është padyshim një nga projektet më të rëndësishmë në nivel rajonal.
“Ballkani i hapur është çështja më e madhe ekonomike dhe politike që ne po e zbatojmë sot”- tha Momiroviq.
Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Serbi, Stefan Lazareviç, tha se ‘Ballkani i Hapur’ synon të krijojë një treg të vetëm të bazuar në parimet e tregut të BE-së, lëvizjes së lirë të mallrave dhe kapitalit.
"Liberalizimi i flukseve të kapitalit brenda kornizës së Ballkanit të Hapur është një mundësi e shkëlqyer për rregullatorët në rajon që të përgatiten për një treg më të madh siç është Bashkimi Evropian"- tha Lazareviç.
Konferenca "Bashkëpunimi ekonomik rajonal - Ballkani i hapur: çfarë mund të presë ekonomia?" merret me përmirësimet e arritura dhe të mundshme të bashkëpunimit ekonomik në rajon në të katër liritë e lëvizjes.
Fokusi i veçantë i konferencës është në rezultatet e arritura në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave dhe mundësitë për përmirësimin e lëvizjes së lirë të kapitalit brenda vendeve pjesëmarrëse në nismën "Ballkani i Hapur".
Dhomat Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, do të diskutojnë mbi rezultatet e arritura dhe potencialin për bashkëpunim të mëtejshëm në këto fusha, ku nga kjo do të pasojnë prezantimet e konkluzioneve të hulumtimit rajonal nga këto dhoma.
Do të prezantohet një pasqyrë e gjendjes aktuale të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur", si dhe pritshmëritë e sektorit privat lidhur me hapat e nevojshëm për përmirësimin e mëtejshëm të shkëmbimit ekonomik në rajon.