Helikopteri ku ndodhej presidenti Herzog bën ulje emergjente në Izrael
Një helikopter i Forcës Ajrore të Izraelit, në të cilin ndodhej presidenti i vendit, Isaac Herzog, bëri ulje emergjente, pasi goditi një tufë zogjsh të enjten, njoftoi ushtria.
Helikopteri “Chopper” po përdorej për ta dërguar presidentin nga një ceremoni përkujtimore në Malin e Herzlit në Jerusalem te një “shiva” në pjesën veriore të vendit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Gjatë fluturimit, helikopteri u godit nga zogjtë dhe aterroi në bazën ajrore “Palmachim”. Ushtria izraelite tha se nuk ka dëme apo të lënduar në incident.
Herzogi dhe ekuipazhi u vendosën në një helikopter tjetër dhe e vazhduan fluturimin sipas planit, thuhet në njoftimin e Forcave Mbrojtëse të Izraelit.
Ushtira tha se helikopteri “iu dërgua personelit teknik të Forcës Ajrore të Izraelit për mirëmbajtje me qëllim të kthimit të tij në shërbim operacional sa më shpejt që është e mundshme”.