Hasani: Kurti la të hapur mundësinë e rinegocimit të statusit të Kosovës në të ardhmen
Profesori i së drejtës ndërkombetare, Enver Hasani, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një marrëveshje me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel dhe në Ohër, e cila ka lënë hapësirë për rinegocimin e statusit të Kosovës në të ardhmen. Ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje ka lëvizur shtyllat e shtetësisë së Kosovës dhe ka bërë që Kosova të futet në një proces të ri që do të prekë kushtetutën materiale.
Hasani gjatë një interviste në emisionin "Pressing" në T7 shpjegoi se marrëveshja e Kurtit me Vuçiq ka hapur mundësinë që statusi i Kosovës të rinegociohet në të ardhmen në bisedime me Serbinë.
Sipas Hasani, kjo marrëveshje ka lëvizur shtyllat bazike të shtetësisë së Kosovës dhe e bën atë përfundimisht të futet në një proces të ri që do të prekë kushtetutën materiale, e cila ka filluar të krijohet në mënyrë graduale gjatë dialogut të deritanishëm.
“E para, e ka lënë çështjen e statusit potencialisht në bisedë në të ardhmen mu rihap e mu diskutu me shtetin serb. E dyta i ka dhënë vulë në nivel të BE-së se ka marrë detyrim për t’i legalizuar këtë edhe të gjitha marrëveshjet e tjera që nuk janë zbatuar ose janë zbatuar gabim. E treta bëhet fjalë për autonomi territoriale.” - ka thënë Hasani.
“Është marrëveshje bazë që rregullon materien tërësisht kushtetuese dhe definon origjinën, organizmin dhe funksionimin e autoritetit publik sa i përket komunitetit lokalë serb, dhe raportin e këtij autoriteti publik me këta qytetarë serbë, që janë shtetas të Kosovës. Bëhet fjalë për materie, apo marrëdhënie shoqërore të autoritetit publik të cilat në pjesën ndërrmuese mbi 90 për qind i takojnë kushtetutës. Kjo rrethanë, e bën që Kosova përfundimisht është fut në një proces që do ta bëj të prekshme kushtetutën materiale që ka nis të krijohet në mënyrë graduale gjatë procesit të dialogut edhe më herët, por tash e bën të prekshme, pasi i ka lëvizë shtyllat bazike të shtetësisë së Kosovës.” - deklaroi profesori i së drejtës ndërkombëtare.