Haradinaj: Varreza masive në Zubin Potok kërkon hetim serioz, Serbia të hapë arkivat ushtarake
Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se varreza masive e gjetur në Zubin Potok kërkon hetim serioz për ta detyruar Serbinë që të tregojë vendndohjen e trupave.
Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se nuk mund të ketë paqe të plotë pa u zbardhur fati i të zhdukurve.
“Të pagjeturit janë plaga më e madhe e shoqërisë sonë. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit është detyrë e jona kombëtare. Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave.
Nuk mund të ketë paqe të plotë pa u zbardhur fati i secilit të zhdukur. Në çdo tryezë diskutimi kjo duhet të jetë tema kryesore për t'ia rikujtuar Serbisë krimet e saj, duke kërkuar me vendosmëri drejtësi për viktimat dhe përgjigje për familjet që presin prej vitesh”, ka shkruar ai.