Haradinaj: Pa një rezolutë të OKB-së për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia mbeten përgjysmë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur miratimin e rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamble të OKB-së.
Ai ka vlerësuar se ky është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se një rezolutë e tillë duhet të miratohet edhe për krimet e Serbisë ndaj Kosovës.
“Pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima, mbeten përgjysmë. Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid. Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje, që duhet përshëndetur. E vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota, atëherë kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid”, ka shkruar Haradinaj.