Haradinaj në 25 vjetorin e AAK-së: Aleanca lindi dhe u rrit në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës
Në përvjetorin e 25-të të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kreu i këaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se Aleanca ka qenë themeluese e shumë proceseve kyçe, duke përfshirë mbrojtjen e paqes dhe lirisë, krijimin e institucioneve, si dhe forcimin e Ushtrisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shkruar se AAK-ja u lind dhe u rrit në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Aleanca lindi nga liria, u rrit me lirinë, veproi në shërbim të lirisë dhe mbrojti paqen dhe lirinë në Kosovë.” - shkroi Haradinaj në postimin e tij.
Tutje i pari i AAK-së ka thënë se partia e tij ka qenë e angazhuar në mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit, duke kontribuar në ngritjen e institucioneve të Kosovës dhe krijimin e një shteti të pavarur.
“Rroftë Aleanca! Rroftë Kosova!” – ka shkruar në fund të postimit Haradinaj.