Haradinaj: Duket se Kurti ka një skenar për ndarjen e Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka ngritur dyshime se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka një skenar për ndarjen e Kosovës.
Në një intervistë në RTV Dukagjini, Haradinaj ka thënë se veprimet e Kurtit po e rrezikojnë një pjesë të vendit.
“Veprimet që janë të pambuluara e sidomos atje ku preket siguria e ku nuk mbulohesh nga aleatët e sigurisë, janë të rrezikshme dhe janë humbëse për Kosovën. Kosova nuk guxon të veprojë e pambuluar, në siguri i vetëm dihet rezultati dhe këto veprime që janë të ligjshme e të drejta të Kosovës e kanë vetëm një mungesë, nuk e kanë mbulesën e aleatëve të sigurisë. Dështimi i Kurtit është se nuk e ka marrë përkrahjen e aleatëve të sigurisë, bekimin e Amerikës. Kurti duke bërë veprime të njëanshme, rrezikon edhe FSK-në edhe juridiksionin e Kosovës, e ka dëmtuar shtetin e Kosovës në një masë të territorit të vet”, tha Haradinaj.
Ish-kryeministri thotë se çështja e sigurisë nuk bëhet “në krye në vete”, teksa shton se Kurti është dashur ta kërkoj ndihmën amerikane,
“Veprimi i pambuluar ndaras, po shkon kah një drejtim tjetër, kah një rrezikim i një pjesë të vendit. Dyshimet janë tani a mos Kurti ka skenar ta ndajë Kosovën, duket si një skenar për ndarjen e Kosovës”, shtoi Haradinaj.
Haradinaj beson se Kurti ka për synim ndarjen e Kosovës, teksa përmend ngjarjet e të kaluarës në komunat me shumicë serbe.
“Dikur në Shtërpcë e vende të tjera ka pasur barrikada, ka pasur protesta, incidente, dhunë, ka qenë një politikë afatgjate pikërisht e Amerikës por edhe e BE-së, që t’i integrojnë këta njerëz. Ka mbi 10 vjet që ka filluar një proces që t’i integrojë njerëzit e veriut, profesionistët atje, dhënia e një justifikimi e atyre është një lloj tradhtie për Kosovën e veçanërisht për investimet e gjata, çdo veprim që ka ndodhur në veri ka qenë investim i madhe edhe i amerikanëve, dhe rezultat i një dinamike të madhe që ta sjellin gjendjen ashtu siç është në Graqanicë e Shtërpcë”, tha keru i AAK-së.