Hamza: Me Lajçak-un kemi biseduar edhe për çështjen e urës së Ibrit
Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë me dije se me të dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbia, Miroslav Lajçak, kanë biseduar për shumë çështja.
Pas takimit, ai ka thënë se temë e diskutimit ka qenë edhe çështja e hapjes se urës së Ibrit, raporton teve1.info
“Kemi biseduar për situatën e përgjithshme në Kosovë, në regjion, për çështjen e dialogut, për zhvillimet që janë duke ndodhur në Kosovë dhe posaçërisht në këtë pjesë të Kosovës. Gjithsesi që ka qenë temë edhe çështja e urës së Ibrit dhe nevoja që të respektohet dhe zbatohet kushtetuta dhe ligjet në fuqi që garantojnë lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve”, ka thënë Hamza.
Ai ka treguar se në takim është biseduar edhe për progresin e arritur në këtë pjesë të vendit.
“Kemi biseduar edhe për progresin e arritur gjatë këtyre viteve por edhe për ndjeshmërinë që ndodhet dhe është prezente në këtë pjesë të Kosovës dhe të gjithë ne do ta bëjmë maksimumin që të punojmë në dobi të paqes, prosperitetit dhe krijimit të kushteve për jetë të përshtatshme për të gjithë pa dallim, me prioritet zbatimin e ligjit”, është shprehur Hamza.