Hamza kujton Konferencën e Rambujesë: Nën udhëheqjen e Thaçit, Kosova zgjodhi paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka përkujtuar fillimin e Konferencës ë Rambujesë.
Ai ka vlerësuar se nën udhëheqjen e Hashim Thaçit Kosova në këtë konferencë e zgjodhi paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se e ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë.
“Më 6 shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë, një moment vendimtar në historinë tonë. Kosova foli dhe vendosi për vetveten. Nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, si kryesues i delegacionit, zgjodhëm paqen, lirinë dhe anën e drejtë të historisë. Nëntë vjet më vonë, shpallëm edhe Pavarësinë e Kosovës. Sot nderojmë heronjtë tanë dhe falënderojmë të gjithë aleatët, që na mbështetën në çdo hap të lirisë dhe shtetndërtimit. E ardhmja euroatlantike e Kosovës kërkon drejtësi e liri edhe për çlirimtarët tanë në Hagë, të cilët gjithnjë kanë qenë faktorë të stabilitetit dhe ndërtues të vizionit perëndimor të shtetit tonë”, ka shkruar Hamza.