Haliti u bën thirrje qytetarëve: Vota juaj, nderi i jetës sime
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka publikuar një mesazh drejtuar qytetarëve në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar mbështetje për garën zgjedhore dhe duke vlerësuar rëndësinë e votës së tyre.
Në mesazhin e tij, Haliti shprehet mirënjohës për përfshirjen e tij në listën zgjedhore të PDK-së dhe thekson angazhimin e tij të vazhdueshëm në shërbim të vendit.
“VOTA JUAJ, NDERI I JETËS SIME
Të nderuar qytetarë, ju anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës,
Në prag të 7 qershorit, ditës së votimeve për legjislaturën e re të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju shpreh përuljen dhe respektin tim njerëzor e qytetar.
Edhe këtë herë kam nderin të jem në garën zgjedhore nga PDK-ja.
Prandaj, kërkoj besimin tuaj, duke vlerësuar se vota juaj është nderi i jetës sime.
Jam besimplotë se, me votën tuaj, do ta fitoj edhe këtë garë qytetare e politike, në të mirë të shtetit të Kosovës, i cili është ideali ynë fisnik dhe gjaku që nuk falet.
I kam hyrë kësaj gare me kërkesën e shumë miqve, shokëve dhe bashkëveprimtarëve në Kosovë dhe në mërgatë, me qëllimin idealist që të vazhdoj t’i shërbej Atdheut, Republikës sonë, sikurse dje në kohë lufte, edhe sot në kohë paqeje.
Rruga më fatlume për të dalë fitimtar është të jem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, pasi fitorja e PDK-së do të jetë fitore e Kosovës me Kryeministër Bedri Hamzën.
Me Qeverinë e PDK-së marrin fund kriza, korrupsioni, bllokadat institucionale e politike, përçarjet, ndasitë në shoqëri, si dhe helmi politik.
Fati im politik përherë është shndërruar në vetëpërgjegjësi, në thirrjen e popullit tim për t’ju shërbyer juve.
Bashkë, me lavdinë e Zotit, drejt fitores!
Voto PDK 125, voto numrin 14!
I juaji,”
Haliti në këtë mesazh ka kërkuar mbështetje nga votuesit e PDK-së, duke theksuar se fitorja e partisë së tij do të sjellë ndryshime në qeverisjen e vendit dhe, sipas tij, do t’u japë fund krizave dhe bllokadave institucionale.