Gruda i bindur se Kurti më s’mund t’ia hedhë me datat e tij favorite për zgjedhje, siç ia pati caktuar Vjosa Osmani
Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës, i tha gazetës Nacionale, se Albin Kurti i Vetëvendosjes nuk do të mundet më t’i zvarrisë e përllogarisë zgjedhjet në data të tij elektoralisht të favorshme.
Ai tha se nuk mund të ndodh më qysh e kishte aranzhuar me Vjosa Osmanin.
“Unë mendoj që Kosova s’ka nevojë për zgjedhje të reja. Opozita gjithmonë kërkon zgjedhje, por tash, pasi kemi kaluar në absurditet, unë mendoj që nuk është korrekte me lyp zgjedhje të reja, me i torturuar njerëzit e institucionet. Zoti Kurti nuk mundet me akorduar datën e zgjedhjeve vetë, qysh do ai. Ka pasur një tolerancë herën e kaluar që zgjedhjet të caktohen qysh kanë dashur me Vjosa Osmanin; kësaj here nuk duhet të jetë ashtu. Duhet me i dhënë një shans dialogut normal, sepse dialogu është antidot për protestat. Dialogu është njëfarë komunikimi; përndryshe, një ditë sheshi ka me u mbushur me qytetarë, plot njerëz,” tha ai.
“Ky është një regjim autoritar që e ka përmbysur rendin kushtetues dhe e ka vendosur rendin e vet. Tash ne jemi në rendin e Vetëvendosjes, jo në rendin e Kushtetutës, dhe Kushtetuta është si statuti i VV-së: e interpretojnë qysh duan ata dhe e formulojnë qysh duan ata. Unë pajtohem që, përballë kësaj situate absurde, ne jemi ndodhur pak në befasi. Tash jemi duke e ridefinuar rrugën tonë dhe, faktikisht, edhe veten: qysh me u sjellë përballë kësaj situate. Mendoj se aktivitetet tona gjatë këtyre dy javëve kanë treguar që do ta gjejmë një shteg me dalë përtej kësaj. Albin Kurti sot nuk guxon me ardhur në Kuvend. Ai nuk po guxon me ardhur në Kuvend. Ka tri orë — nuk është që s’po vjen — sepse Kuvendi nuk u zgjodh. Sot i kërkuam, ashtu siç deshi, me ardhur në Kuvend; ka dashur me deliberuar. Ne kemi thënë që do të shkojmë në Kuvend, ndërsa ai po frikësohet me ardhur. Sigurisht po frikësohet, sepse tashmë ka një vendosmëri të krejt forcave politike: hajde, rri me Kosovën. Ne nuk e kemi në rend me e lënë për kohë të pacaktuar në postin e kryeministrit në detyrë dikë që ka edhe aktgjykim të Gjykatës.”