Gjykata liron të arrestuarit që u kapën me 1 milion euro në Merdare: S’ka prova
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, për paraburgim ndaj tre të dyshuarve të cilët u kapën me 1 milion euro të padeklaruara në Merdarë, duke thënë se nuk ka prova të mjaftueshme.
Në një përgjigje për Express, nga Gjykata kanë thënë se kërkesës për paraburgim nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale, si procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtetimi për sekuestrim të sendeve.
Kështu, tre të dyshuarit janë liruar, siç thuhet në fund të përgjigjes.
Përgjigja:
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.A., A.K. dhe A.L., shtetas të Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale Shpëlarja e parave.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikes së Kosovës, ndërsa të pandehurit janë liruar menjëherë, nga momenti i dorëzimit të këtij aktvendimi.
Gjykata gjeti se në këtë rast nuk përmbushet kushti thelbësor nga neni 184 paragrafi 1 pika 1 .1 të KPPRK-së, përkatësisht Prokuroria nuk arriti të vërtëtoj se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L., kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen, pasi sipas Gjykatës në kërkesën e Prokurorisë nuk është përmendur asnjë provë, sado sipërfaqësore, në të cilën Prokuroria e mbështet pretendimin e saj lidhur me dyshimin e bazuar.
Sipas vendimit të gjykatës, kërkesës për caktimin e paraburgimit nuk i janë bashkëngjitur as provat minimale për këtë fazë të procedurës, sic janë procesverbali i kontrollit të automjetit e as vërtëtimi për sekuestrim të sendeve, të cilat janë prova të domosdoshme për krijimin e bazës për caktimin e paraburgimit.
Andaj, duke u gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të materialit provues, gjykata është e obliguar të zbatoj nenin 163 par.3 të KPPRK-së dhe të liroj të pandehurit E.A., A.K. dhe A.L.