GjND-ja refuzon që ta urdhërojë Gjermaninë për t’ia ndalur ndihmat ushtarake Izraelit - NACIONALE

GjND-ja refuzon që ta urdhërojë Gjermaninë për t’ia ndalur ndihmat ushtarake Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të martën refuzoi një kërkesë të Nikaraguas që ta urdhërojë Gjermaninë për t’ia ndalur Izraelit ndihmat ushtarake dhe të llojeve të tjera dhe për ta rinisur financimin e një agjencie të OKB-së për ndihma në Gaza.

GjND-ja tha se kushtet ligjore për të lëshuar urdhër të tillë nuk janë plotësuar dhe vendosi kundër kësaj kërkese me 15 vota të gjykatësve e një ishte kundër vendimit. Përfaqësuesit ligjorë të Gjermanisë u thanë gjykatësve se ky shtet nuk është duke eksportuar pothuajse asnjë armë në Izrael, raporton agjencia “Associated Press”.

Sidoqoftë, paneli prej 16 gjykatësish refuzoi që ta hidhte poshtë rastin në tërësi, siç kishte kërkuar Gjermania. Në gjykatë përsëri do të dëgjohen argumente nga të dyja palët rreth bazës së rastit të paraqitur nga Nikaragua, shtet në Amerikë Qendrore, që pretendon se, duke i dhënë përkrahje Izraelit, Gjermania ka dështuar që ta parandalojë gjenocidin në Gaza. Rasti me gjasë do të zgjasë disa muaj ose vjet.

Gjykata “mbetet thellësisht e shqetësuar për kushtet katastrofale të jetesës të palestinezëve në Rripin e Gazës” – tha Nawaf Salam, kryetar i GjND-së.

Ai shtoi se gjykata “konsideron posaçërisht të rëndësishme që t’ua rikujtojë të gjitha shteteve detyrimet e tyre ndërkombëtare në lidhje me dërgimin e armëve te palët në një konflikt të armatosur, me qëllim që të shmanget rreziku që armët e tilla të mund të përdoren” për ta shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Lajme të ngjashme