Gjini: Qeveria të vrapojë drejt marrëveshjes finale, zvarritja favorizon vetëm Serbinë - NACIONALE

Gjini: Qeveria të vrapojë drejt marrëveshjes finale, zvarritja favorizon vetëm Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë Kurti për zvarritje të procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Qeveria duhet të vrapojë drejt marrëveshjes finale me Serbinë.

Mendoj se për një kohë Qeveria e Kosovës është zvarritur, ka shkuar zvarrë në këtë proces, nuk i ka dhënë energjitë e nevojshme për ta shfrytëzuar situatën në të cilën gjendet Kosova dhe bota, duke pasur parasysh të gjitha rrethanat ekzistuar në arenën ndërkombëtare. Kjo tërheqje zvarrë e këmbeve për të ecur në dialog nuk i shkon për shtati askujt tjetër përveç Serbisë, e cila insiston me e zvarritë çfarëdo lloj procesi në këtë periudhë kohore, sepse në këtë periudhë Kosova ka shumë karta të fuqishme në dorë”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, Kosova duhet t’i shfrytëzoj kushtet e favorshme për arritjen e kësaj marrëveshje.

E ka bashkësinë ndërkombëtare mbrapa, e ka precedentin rus në Ukrainë, e mos të përmendim që në SHBA e kemi një qeveri, e cila ka dëshirë, vullnet dhe fuqi me qenë shumë më aktive në këtë proces të dialogut. Edhe me BE-në e kemi të njëjtën situatë. Pra, është një dritare e hapur serioze në të cilën Kosova, me u shpreh më simbolikisht, duhet me vrapu drejt arritjes së një marrëveshjes finale, e jo me krijuar vetë rrethana të cilat munden me u shfrytëzua për me u zvarrit procesi. Çfarëdo veprimi i cili krijon rrethana ose jep pretekst për të zvarritur procesin e arritjes së marrëveshjes finale, nuk është në dobi të Kosovës”, është shprehur Gjini.

Lajme të ngjashme