Gjini: Qeveria po e ngulfat zhvillimin, po i mban paratë në arkë
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të investimeve kapitale në infrastrukturë.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Qeveria nuk duhet ta mbaj paranë në akrat e shtetit.
Sipas tij, para duhet të qarkullojë në mënyrë që të ndikojë në zhvillim.
“Nuk është ndonjë fantashkencë me e kuptuar që shpenzimi i parasë publike në investime kapitale është investim, edhe për atë arsyeje quhet investim dhe nuk quhet shpenzim. Sepse shpenzimet janë diçka tjetër, ato janë drekat dhe darkat. Unë mund të spekulojë edhe mund të thanë se nuk po dinë, apo me thanë që nuk po duan, por logjikisht nuk e kam të qartë se çka kanë. Paraja publike, taksat që grumbullohen prej qytetarëve dhe që rrinë në arkën e shtetit, janë për shtetin sikur një trupi me i tërheq gjakun dhe me ia ruajt diku. Paraja publike për vendet që aspirojnë zhvillim të shpejt duhet të qëndrojnë sa më shkurt që të jetë e mundur në arkën e shtetit. Duhet me u mbledh taksat dhe sa më shpejt me u leshu prapë në mënyrë që paraja me krijuar para. Kur ajo ndalet në arkat e shtetit, atëherë ne jemi duke e ngulfatur zhvillimin”, ka thënë Gjini.
Sipas tij, nga kjo logjikë qeverisëse është prekur edhe komuna e Gjakovës, të cilën e drejton ai.
“Për ne është edhe më goditëse çështja e investimeve kapitale. Për Gjakovën sidomos është një situatë problematike, sepse me fonde të qeverisë ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë-Dollc, me fonde të qeverisë ka nisur qarkorja e brendshme dhe kemi pasur probleme me derdhje te mjeteve për këto projekte. Këto ndikojnë direkt në sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Po them edhe njëherë, se nuk e kam të qartë pse po ndodh kështu, sepse është interes i qeverisë me pasë sukses komunat”, ka thënë Gjini.