Gjermania regjistron ditën më të nxehtë të vitit
Gjermania ka regjistruar ditën më të nxehtë në vitin 2022, tha të martën Shërbimi Gjerman i Motit (DWD).
“Rekordi i ri paraprak i temperaturës gjermane për vitin 2022”, shkroi DWD të martën në Twitter, duke shtuar se në Duisburg-Baerl temperaturat kanë arritur në 39.3 °C.
Më herët të martën, DWD tha për CNN se vendi po përgatitet për temperatura deri në 40 gradë Celsius në disa rajone.
Ndërkohë, Organizata Botërore Meteorologjike, ka njoftuar se vala e të nxehtit në Evropë mund të mos përfundojë deri në mes të javës së ardhshme.
“Pyetja që bëjnë të gjithë, 'kur do të përfundojë kjo?' Fatkeqësisht, duke parë të gjitha modelet nga partnerët tanë në nivel kombëtar dhe rajonal, ndoshta jo deri në mes të javës së ardhshme”, deklaroi organizata.
Megjithatë, sipas matjeve të martën nxehtësia pritet të arrijë kulmin në Francë, Britaninë e Madhe dhe Zvicër.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i organizatës, Petteri Taalas tha se "këto valë të nxehtit po bëhen më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike".

