Gjendet një person pa shenja jete në Llapçevë të Malishevës – policia po heton rrethanat
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e së hënës në fshatin Llapçevë të Malishevës, ku një burrë është gjetur i shtrirë në rrugë pa shenja jete.
Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës, personi fillimisht është hasur në gjendje kritike për jetën nga qytetarët. Ai është transportuar me urgjencë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, por mjekët kanë konfirmuar se nuk kishte mundur të mbijetonte.
Policia njoftoi se me autorizim të Prokurorisë është hapur një hetim për vdekjen, ndërsa ekipet hetimore po punojnë për të zbardhur çdo detaj që çoi deri te kjo tragjedi.
“Sot rreth orës 07:20, në fshatin Llapçevë-Malishevë, është gjetur në rrugë një person mashkull i moshës madhore në gjendje të rënduar shëndetësore. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi mjekësor. Viktima është dërguar në QKMF Malishevë, ku edhe ka ndërruar jetë. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast “Hetim i vdekjes”, ndërsa policia po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Elezaj.