IPK thotë se gjatë vitit 2022 janë arrestuar 108 zyrtarë policor, nga 257 sa u hetuan
Inspektoriati Policor raporton se gjatë vitit 2022, kanë kryer hetime ndaj 257 zytarëve policorë ku 108 prej tyre janë arrestuar.
Shefi i Inspektoriatit Policor, Kushtrim Hodaj, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë tha se vetëm vitin e kaluar janë pranuar rreth 1700 ankesa- raporton Kosovo Online.
“Prej kësaj, 34% i drejtuam hetimet penale në departamentin e hetimeve në kuadër të Inspektoratit, ndërsa 66% të tjera në hetimin disiplinor apo administrativ në departamentin e hetimeve të brendshme të Policisë së Kosovës. Në fushën e parandalimit dhe hetimit, për aktivitetet kriminale, kemi pasur një angazhim të shtuar, duke arritur rezultate të larta që nga themelimi i IPK-së. Kemi hetuar 257 policë, kemi arrestuar 108 policë nën dyshimin se kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale. Rekomanduam suspendimin e 164 policëve"- tha Hodaj.
Ai njoftoi se aktualisht janë duke u kryer hetime ndaj punonjësve të policisë në nivele të ndryshme, për përfshirje në vepra penale.
“Kemi shumë raste në hetim, sigurisht se për rezultatet dhe epilogun e tyre do të njoftoheni në kohën e duhur. Ka raste në të gjitha nivelet”- tha ndër të tjera Hodaj.