Gashi demanton Presidenten: KQZ ishte gati për zgjedhje edhe më 21 dhjetor
Përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, ka demantuar Presidenten Vjosa Osmani për deklaratën e saj, se KQZ nuk ishte gati të organizonte zgjedhje më 21 dhjetor.
“KQZ ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve” – ka shkruar veç tjerash Gashi në një ‘sqarim publik" që të plotë mund ta lexoni më poshtë:
Pas takimit të Presidentes me përfaqësues të partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve, si anëtarë të KQZ-së, së bashku me kolegun Arianit Elshani, jemi takuar me Kryetarin e KQZ-së dhe i kam kërkuar që, nëse ftohet në konsultime nga Presidentja, të ketë parasysh dy çështje:
Së pari, ne kemi obligim ligjor t’i mbajmë zgjedhjet sa herë që ato shpallen.
Së dyti, të mos bëhet palë në përcaktimin e datës, pasi kjo nuk është qëndrim i KQZ-së dhe do të më duhej ta demantoja publikisht.
KQZ ka qenë e gatshme për zgjedhje si më 21 ashtu edhe më 28 dhjetor. Ne, si trup, asnjëherë nuk jemi pyetur nga askush për datën e zgjedhjeve.
Kushdo që e ka vënë Presidenten në lajthitje nuk ka pasur fare të bëjë me diskutimet e brendshme të KQZ-së. Çfarëdo rekomandimi ka mundur të jetë vetëm personal, nga ndonjë individ i caktuar, dhe jo qëndrim zyrtar i KQZ-së.
Prandaj, KQZ, si trup, nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë asnjëherë vendim për t’i dhënë Presidentes një datë për zgjedhjet.