Forcat izraelite vranë 12 njerëz në Ultësirën Bekaa të Libanit, thotë guvernatori
Së paku 12 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Ultësirën Bekaa në lindje të Libanit, sipas guvernatorit rajonal.
Shtatë sirianë, përfshirë një familje 5-anëtarëshe, dhe tre libanezë u vranë, kur u godit zona Wadi Faara, tha guvernatori i provincës Baalbek-Hermel, Bachir Khodr. Dy raste të tjera fatale u raportuan në Shumstar, raporton televizioni BBC.
Ushtria izraelite tha se kishte goditur një numër të komplekseve ushtarake që i përkisnin grupit Hezbollah, përfshirë kampe trajnimi të lidhura me forcën elite të tij, Radëan.
Këto ishin sulmet më vdekjeprurëse që nga koha kur përmes një armëpushimi iu dha fund luftimeve njëvjeçare mes Izraelit dhe Hezbollahut, përfshirë dy muaj të luftës së hapur që e la grupin të dobësuar rëndë.
Hezbollahu ende nuk i ka komentuar sulmet izraelite, edhe pse kanali televiziv i grupit, “Al-Manar TV”, tha se ato përbëjnë shkelje të armëpushimit dhe të sovranitetit të Libanit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se këto sulme u dërgojnë “një porosi të qartë” Hezbollahut dhe qeverisë libaneze, duke theksuar se vendi i tij është i përgatitur për “t’u kundërpërgjigjur me forcë maksimale kundër çfarëdo përpjekjeje për rindërtim” të kapaciteteve ushtarake të Hezbollahut.
Baza e marrëveshjes së armëpushimit mes qeverive të Izraelit dhe Libanit, e ndërmjetësuar nga ndërmjetës amerikanë në nëntor, ishte zbatimi i plotë i Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën i ishte dhënë fund luftës së vitit 2006./Nacionale