Federata e Basketbollit të Kosovës i ndalon udhëtimet e tifozëve mysafirë
Federata e Basketbollit të Kosovës në krye me kryetarin e saj, Arben Fetahun, kanë marrë një vendim sot për të ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë nëpër palestra deri në fund të sezonit 2022/23, për të evituar problemet e mundshme që po ndodhin herë pas here.
Njoftimi i nga FBK, thotë:
“Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) konform nenit 23 të Statutit të FBK-së ka marrë vendim që të ndalojë udhëtimin e tifozëve mysafirë në mënyrë të organizuar në ndeshjet e Prince Caffe Superligës së Kosovës deri në fund të edicionit 2022/23 dhe ky vendim do të vlejë vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe eventet e organizuara nga Federata e Basketbollit e Kosovës (si Superkupa, Final 8 etj).
Bordi i FBK-së ka qenë i detyruar të marrë një vendim të tillë, duke u bazuar në disa nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur me tifozët në ndeshjet e basketbollit dhe për të evituar probleme edhe më të mëdha në të ardhmen, atëherë Bordi ka vendosur të ndërmarrë masa në këtë drejtim.
Ky vendim hyn në fuqi në ditën e miratimit të tij.
Në emër të Bordit të FBK-së,
Arben FETAHU
Kryetar
Federata e Basketbollit e Kosovës”
Pra vendimi është marrë për garat e organizuara nga vet klubet, ndërsa Superkupa dhe Final 8, do të zhvillohen si gjithmonë, pasi aty përgjegjëse për organizim është federata.