Prapaskenat në Qeverinë Kurti: Haki Abazi kallëzon qysh ishte 'përplasur' me ministren Hajdari
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi ka shpalosur detaje deridiku interesante nga Qeveria Kurti I.
Bëhet fjalë për një përplasje mes tij dhe ministres Rozeta Hajdari, ndërsa tema për të cilën palët ishin konfrontuar ishte energjia elektrike në veri.
"Në Qeverinë Kurti I nuk ka pasur asnjë moment të vetëm kur ne jemi përplasur, ka pasë çështje me ministrat, që mundemi me i diskutu, për shtrirjen e kontrollit në veri tek sistemi energjetik. Me zonjën Hajdari për shembull. Patjetër, ka pasë përplasje me të (mes tij dhe ministres Hajdari). Unë kam pas ide tjetër se si duhet me vendos serbët me pagu energjinë elektrike në veri. Ka shkëmbime, emaila. Unë edhe atë kohë kam dhjetëra emaila edhe nga ambasada amerikane e gjermane, që ky është momenti që të bëhet diçka", tha Abazi në T7.
Ai nuk tregoi se deri ku kishte shkuar përplasja në fjalë. Duhet theksuar se Abazi kishte pozicion më të lartë pushteti në atë kohë se znj. Hajdari, duke shërbyer si Zv. Kryeministër i Dytë i Qeverisë Kurti I.
Duhet të kujtojmë se z. Abazi është mes deputetëve të Vetëvendosjes që së fundi ka shprehur pakënaqësi me Qeverinë Kurti II.
