Ekstradohen nga Hungaria, Shqipëria dhe Mali i Zi katër persona të kërkuar nga drejtësia e Kosovës
Katër persona të kërkuar nga drejtësia e Kosovës janë ekstraduar nga Hungaria, Shqipëria dhe Mali i Zi gjatë datave 14 dhe 15 prill 2026, njofton Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, më 14 prill nga Hungaria është ekstraduar një shtetas kosovar me inicialet Q.I., i cili më pas i është dorëzuar njësive policore në rajonin e Gjakovës për procedura të mëtejshme ligjore.
Ndërkohë, më 15 prill, nga Shqipëria janë ekstraduar dy shtetas shqiptarë, R.B. dhe G.H., të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar. Ata janë dorëzuar te Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz.
Po ashtu, nga Mali i Zi është ekstraduar edhe një shtetas kosovar me inicialet I.A., i cili i është dorëzuar policisë në rajonin e Mitrovicës.
Të dyshuarit ishin arrestuar më herët nga autoritetet e vendeve përkatëse, ndërsa ekstradimet janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar dhe në përputhje me ligjet në fuqi.