Edhe një sukses për FSK-në, majori Haxhiaj përfundon me sukses kursin prestigjioz për paqeruajtës në Japoni
Majori i Ushtrisë së Kosovës, Driton Haxhiaj, ka përfunduar me sukses kursin prestigjioz për paqeruajtës në Japoni.
Në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Japoni është thënë se bëhet fjalë për kursin për Komandantët e Kontingjenteve në Operacionet Paqeruajtëse, i cili është një trajnim ndërkombëtar që synon përgatitjen e oficerëve për drejtimin e kontingjenteve në misionet paqeruajtëse.
“Urime Majorit të Ushtrisë së Kosovës, Driton Haxhiaj, për përfundimin me sukses të Kursit për Komandantët e Kontingjenteve në Operacionet Paqeruajtëse (PKOCCC), të zhvilluar sot në Qendrën Japoneze për Trajnim dhe Kërkim në Operacionet Paqeruajtëse (JPC), në Tokio, Japoni”, është thënë në njoftimin e ambasadës.