E pazakontë, në QKMF në Drenas po pihej duhani: Inspektorati Shëndetësor i gjobiti në shkurt, me 500 euro
Gazeta Nacionale ka mësuar se në QKMF në Drenas, po pihej duhani brenda ambienteve të qendrës. Sipas burimeve të Nacionales, kjo ishte shndërruar në dukuri. Nacionale ka dërguar pyetje për ktë çështje në Inspektoratin Shëndetësor të Kosovës, ku është konfirmuar se gjatë muajit shkurt, gjatë një kontrolli të paplanifikuar është zbuluar kjo dukuri në QKMF, përçka institucioni është gjobitur.
Më poshtë gjeni përgjigjen e Inspektoratit Shëndetësor për Gazetën Nacionale:
Inspektorati Shëndetësor ka realizuar inspektim të paplanifikuar në Qendrën e Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, ku qëllimi i inspektimit ishte verifikimi i respektimit të ligjeve në fuqi, dhe në bazë të të gjeturave u vërejtë se në QKMF Drenas nuk respektohet Ligji për Kontrollin e duhanit nga punonjësi i këtij Institucioni Shëndetësor, ku për këtë janë marrë masa me gjobë ndaj drejtorit të QKMF-së, si dhe janë dhënë rekomandime për marrje masash ndaj punonjësitë në afatin e caktuar kohor nga Inspektorati Shëndetësor.
Nga Inspektorati Shëndetësor vendimi me gjobë është lëshuar më datë 04.02.2026.
Për mos respektim dhe shkelje të dispozitave të Ligjit për Kontrollin e Duhanit Nr. 04/L-156, në vendimin e Inspektorati Shëndetësor, vlera e gjobës është 500 (pesëqind) euro.