Dyshohet se Qeveria e Kosovës manipuloi me statistika, i hoqi ato që s'i pëlqyen, vendosi të tjera - NACIONALE

Dyshohet se Qeveria e Kosovës manipuloi me statistika, i hoqi ato që s'i pëlqyen, vendosi të tjera

1 javë më parë

nga NACIONALE

Ministri i Financave në qeverinë nën hije të PDK-së, Arben Mustafa ka kritikuar qeverinë e Kosovës se po manipulon me shifra.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Mustafa shkroi se qeveria po synon që të interferojë në punën e ASK-së.

Sipas tij, ky është një zhvillim shqetësues, pasi edhe kanë fshirë shifra që nuk u kanë konvenuar, për t'i vendosur ato që i donin ata.

"Manipulimi me statistikat mund të jetë gjë normale për një vend autokratik, por në asnjë rrethanë për një vend demokratik. Një tendencë e tillë manipulimi nuk është parë asnjëherë në Kosovë dhe rrezikon shumë besueshmërinë e statistikave të publikuara", shkroi ndër të tjerash ai.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Tendenca e Qeverisë së Kosovës për të interferuar në punën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) dhe, rrjedhimisht, manipulimit të statistikave mbi ekonominë paraqet një zhvillim shumë shqetësues për informimin e drejtë të publikut dhe politikëbërjen e përgjegjshme në Kosovë.

Me 15 shtator 2022, ashtu siç përcaktohet me kalendarin e publikimeve te ASK-së, ky institucion publikoi të dhënat mbi Bruto Produktin Vendor (BPV), ku për vitin 2021 u vlerësua se ekonomia e vendit kishte shënuar një normë reale të rritjes prej 8.1%.

Mirëpo, me gjasë ky lajm nuk i pëlqeu përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në vazhdimësi kishin proklamuar se në vitin 2021 ekonomia kishte regjistruar një normë dyshifrore të rritjes prej 10.5%. Rrjedhimisht, vetëm disa orë pas publikimit, këto statistika u larguan nga faqja e internetit të ASK-së pa asnjë sqarim për publikun.

Sot, pas pesë ditëve, statistikat mbi Bruto Produktin Vendor u publikuan sërish, por tashmë të korrigjuara për të treguar përsëri një rritje dyshifrore të BPV-së prej 10.75%. Kjo krijon një bazë shumë të fortë për të besuar se ka pasur trysni mbi Agjencinë e Statistikave të Kosovës për t'i ndryshuar statistikat në mënyrë që t’i përshtaten qëndrimeve të Qeverisë.

Manipulimi me statistikat mund të jetë gjë normale për një vend autokratik, por në asnjë rrethanë për një vend demokratik. Një tendencë e tillë manipulimi nuk është parë asnjëherë në Kosovë dhe rrezikon shumë besueshmërinë e statistikave të publikuara.

Lajme të ngjashme