Dyshohet se po mundoheshin të vidhnin naftë, së paku 37 të vdekur nga tymi helmues në Nigeri
Së paku 37 njerëz kanë vdekur pasi kishin thithur tym helmues përderisa dyshohet se po mundoheshin që të vidhnin naftë nga një naftësjellës në shtetin Rivers të Nigerisë, tha një grup mjedisor në rajonin e pasur me naftë.
Shumë njerëz janë ende të zhdukur, pasi mbi 100 persona kishin shkuar në Okrika përmes barkave të vogla për të grumbulluar naftë të rafinuar në errësirë, sipas qendrës për të Rinj dhe Avokaci Mjedisore, raporton televizioni BBC.
Policia i tha BBC-së se është duke u zhvilluar një hetim për ta zbuluar numrin e të prekurve, pas raportimeve se njerëzit kishin mbetur pa vetëdije. Në raportimet lokale thuhet se disa persona ranë në Lumin Bonny dhe disa të tjerë u dërguan në spital.
Vjedhja nga naftësjellësit ka qenë probleme me dekada në qendrën e naftës në Nigeri. Riversi është njëri nga disa shtete që e përbëjnë rajonin jugor të Deltës së Nigerit, territor i madh me toka të lagështa që kanë rezerva të mëdha nafte dhe gazi përgjatë bregdetit të Nigerisë.
Me vite të tëra, grupet kriminale kanë siguruar qasje në naftësjellës dhe kanë marrë naftë të papërpunuar ose produkte të tjera të saj përmes barkave dhe rezervuarëve, për t’i shitur më pas në tregun e zi ose për t’i dërguar në rafineri të paligjshme.