Dyshohet se përfituan 660 mijë euro duke mashtruar me viza – Prokuroria e Prishtinës me aktakuzë ndaj katër të dyshuarve - NACIONALE

Dyshohet se përfituan 660 mijë euro duke mashtruar me viza – Prokuroria e Prishtinës me aktakuzë ndaj katër të dyshuarve

2 javë më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave nën dyshimin për mashtrim, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe shmangies nga tatimi.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet Sh.C., V.C., A.A dhe B.S., dyshohet se kanë dëmtuar mbi 400 persona, duke përfituar kundërligjshëm mbi 667 mijë euro, përmes premtimit të sigurimit të vizave për vendet perëndimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të pandehurit Sh.C dhe V.C., nga data 12.09.2019 e deri në fund të muajit tetor 2020, në Prishtinë, pas marrëveshjes paraprake dhe në bashkëkryerje në Agjencinë BCD TRAVEL, me seli në Bregun e Diellit, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kanë hapur zyrën në Bregun e Diellit në Prishtinë, duke i mashtruar të dëmtuarit me premtimin se do t’ju caktohen terminet për viza dhe do t’ju sigurojnë viza pune në shtetet perëndimore dhe skandinave, me ç ‘rast të dëmtuarve u është shkaktuar dëm material mbi 50.000 euro, dhe me këtë në vazhdimësi të pandehurit dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, thuhet në aktakuzë.

Tutje theksohet se të pandehurit kanë mashtruar me dashje, duke kërkuar para për kinse sigurimin e vizave.

“Të pandehurit A.A dhe Sh.C., nga muaji nëntor 2020 deri në shtator 2021, kanë mashtruar me dashje dhe në bashkëkryerje, duke qenë në dijeni se aplikacionet për viza nuk po procedohen në ambasadat përkatëse dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe tjetrin, e pandehura A.A., ju ka kërkuar paratë të dëmtuarve kinse për sigurimin e vizave, ka plotësuar “kontratat” për të dëmtuarit, si dhe ka “arsyetuar” tek të dëmtuarit arsyet e pritjet e gjata për vizat e punës, e po ashtu, nga profili i të njëjtës në rrjetin social “facebook” dhe “instagram”, i ka postuar ofertat për punë, si dhe listat me emra dhe mbiemra të aplikantëve/tani të dëmtuarve që ju është “konfirmuar” caktimi i termineve për vizë dhe që do “të nënshkruajnë” kontratat për punësime jashtë vendit, ndërsa “aplikacionet” e të dëmtuarve nuk janë dorëzuar asnjëherë në ambasadat përkatëse, me ç ‘rast iu është shkaktuar dëm material mbi 50.000 euro dhe me këtë në vazhdimësi të pandehurit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’”, thuhet tutje në aktakuzë.

Në aktakuza po ashtu thotë se i pandehuri Sh.C., ka fshehur dhe i është shmangur tërësish pagesës së tatimit që kërkohet me ligj duke mos i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, ku vlera e shumës së shmangur tatimore arrin shumën prej 50.000 euro.

Ndërsa, i pandehuri B.S., me dashje ka vënë në lajthim Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve të Kosovës (ARBK), që të vërtetojë një çështje të pavërtetë, në emër kinse të autorizuesit (pronar imagjinar i biznesit), duke e dhënë nënshkrimin e tij pa pasur autorizim, i cili autorizim ka shërbyer si provë në ARBK për të regjistruar “BDC Travel” Sh.p.k.

Prokurori i shtetit i ka propozuar Gjykatës tu vazhdohet paraburgimi të pandehurve e njëkohësisht tu konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale./BetimipërDrejtësi

Lajme të ngjashme