Dy infermierë të QKMF-së në Prizren ndalohen për përvetësimin e mbi 2 mijë eurove
Dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbime shëndetësore.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren dhe Policisë së Kosovës, të dyshuarit Xh.B., kryeinfermier, dhe B.R., infermier, dyshohet se gjatë ndërrimeve të natës kanë marrë para të arkëtuara nga pacientët.
Hetimet kanë nisur në qershor të vitit 2026, pas pranimit të informacioneve operative për shpërdorime në QKMF-në e Prizrenit.
Prokuroria njofton se Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1 mijë e 250 euro, ndërsa B.R. 1 mijë e 32 euro. Shuma e përgjithshme e dyshuar arrin në 2 mijë e 282 euro.
Rasti është cilësuar si vepër penale “Përvetësimi në detyrë”. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se ekziston mundësia e zgjerimit të tyre edhe për periudha të tjera kohore.