Dy adoleshentë u vranë gjatë sulmit të kolonëve e ushtarëve në Bregun Perëndimor, thonë zyrtarët
Funerale u mbajtën të mërkurën për dy adoleshentë palestinezë për të cilët zyrtarët lokalë thanë se u vranë nga kolonët dhe ushtarët izraelitë në një sulm ndaj fshatit të tyre në Bregun e pushtuar Perëndimor të mërkurën.
Këshilli i fshatit në al-Mughayyir i tha BBC-së se Omar al-Nassan, 19 vjeç, dhe Khalil Abu Alia, 16 vjeç, u vranë përderisa po mundoheshin që ta parandalonin vjedhjen e deleve të tyre nga kolonët dhe me atë rast shpërthyen përleshjet.
Ushtria izraelite deklaroi se forcat e saj kishin hyrë në fshat për të ofruar siguri për një civil izraelit dhe policinë që po mundoheshin t’i tërhiqnin gjedhet.
Më tej, ushtria tha se forcat e saj shkrepën armë dhe i goditën ata që i quajti “nxitësit kyçë” të një “rrëmuje të dhunshme”, në të cilën palestinezët hodhën gurë në drejtim të ushtarëve.
Vdekja e adoleshentëve vjen në kohën e shtimit të dhunës nga kolonët në Bregun Perëndimor. Deri më tani këtë vit, OKB-ja ka regjistruar mesatarisht më shumë se tri sulme në ditë.
Së paku 81 palestinezë janë vrarë nga forcat ose kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor nga fillimi i vitit, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. Të paktën 23 prej vdekjeve kanë ndodhur në kontekstin e sulmeve nga kolonët.
Tre izraelitë, edhe nga forcat e sigurisë, edhe nga civilët, janë vrarë nga palestinezët në Bregun Perëndimor për të njëjtën periudhë, thotë OKB-ja.