Dushi: KQZ-ja është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së - NACIONALE

Dushi: KQZ-ja është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi, ka vlerësuar se tradita e mirë e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë po rrezikohet seriozisht.

Ai ka vlerësuar se KQZ-ja është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Dushi e ka kritikuar heshtjen e presidentes ndaj sjelljeve të anëtareve të KQZ-së nga radhët e VV-së.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndër vite ka qenë institucioni më kredibil i shtetit, i vlerësuar nga BE dhe monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve si garant i proceseve të drejta zgjedhore. Edhe kur ka pasur probleme, ato kurrë nuk kanë buruar nga KQZ, por nga subjektet e caktuara të njohura për abuzim me proceset zgjedhore, të cilat shpesh janë ndalur e korrigjuar pikërisht nga organet zgjedhore. Sot kjo traditë është rrezikuar seriozisht. Përkundër rezistencës së disa anëtarëve të përkushtuar e profesionalë, KQZ është shndërruar në një institucion të kapur e të dhunuar nga përfaqësuesit e VV-së, të cilët me presion, frikësim dhe sjellje joprofesionale po e minojnë besimin publik në një nga institucionet më të rëndësishme të demokracisë në vendin tonë”, ka shkruar ai, duke shtuar se presidentja Osmani duhet të mbrojë këtë institucion kushtetues.

“Por mbi të gjitha, shqetësuese është në disa raste edhe heshtja e Presidentes, e cila asnjëherë nuk ka reaguar për ta mbrojtur këtë institucion kushtetues që sot po rrëshqet nën diktatin e partisë-shtet”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme