Disa OJQ i shkruajnë letër Kurtit e Kusarit: Kërkojnë shkarkimin e deputetës Labinotë Demi-Murtezi - NACIONALE

Disa OJQ i shkruajnë letër Kurtit e Kusarit: Kërkojnë shkarkimin e deputetës Labinotë Demi-Murtezi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa Organizata Jo Qeveritare i kanë shkruar një letër Kryeministrit Kurti e Kryetarës së Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari.

OJQ-të i kanë kërkuar shkarkimin e Labinotë Demi-Murtezit, sepse sipas tyre, ajo demonstroi gjuë të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj peronave të komunitetit LGBTIQ+, duke i quajtur persona të sëmurë.

E plotë:

I nderuar Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti, E nderuara Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje znj. Kusari-Lila, Përmes kësaj letre, ne, pesë organizata jo-qeveritare që merremi me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS), Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova), Qendra për Zvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Civil Rights Defenders, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me deklaratat diskriminuese të znj.

Labinotë Demi-Murtezi, deputete nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe njëherit anëtare e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

Me datë 7 shkurt 2024, gjatë takimit të këtij Komisioni me shoqërinë civile të thirrur nga zj. Duda Balje me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë” ne u përballëm me një tjetër demonstrim të homofobisë dhe diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+ nga zyrtarë publikë, njëherësh përfaqësues të popullit të Kosovës.

Gjatë këtij takimi, deputetja Labinotë Demi-Murtezi, i përsëriti edhe një herë publikisht deklaratat e saj shpifëse dhe diskriminuese. Ajo deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ TRANSMETOJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilën e kemi dëgjuar edhe më parë nga ajo në seancën parlamentare të 16 marsit të vitit 2022 kur ishte diskutuar për Projekt-Kodin Civil.

Deputetja Labinotë Demi-Murtezi nuk mund të përfaqësojë objektivitetin dhe pavarësinë e një komisioni që ka për detyrë të mbrojë të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim. Homofobia dhe diskriminimi nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe gjithëpërfshirëse, e aq më pak në Komisionin e thirrur për të trajtuar këto dukuri.

Me këtë rast, kërkojmë nga ju si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të kërkoni dhe të filloni procedurat e shkarkimit të znj.

Demi-Murtezi nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut. Ne nuk pranojmë që persona me qëndrime diskriminuese, përjashtuese dhe homofobe të jenë pjesë e Komisionit. Gjithashtu, përmes kësaj letre ne dëshirojmë të ju njoftojmë se, me datë 1 mars 2024 ne kemi ngritur një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Labinotë Demi-Murtezi për shkak të gjuhës së saj diskriminuese dhe poshtëruese ndaj personave LGBTIQ+ gjatë seancës parlamentare të datës 16 mars 2022. Gjithashtu, ndaj të njejtës është ngritur edhe ankesë në Institucionin e Avokatit të Popullit me po të njejtën bazë. Ndërkohë që ne presim vendimet nga këto dy institucione, ne kërkojmë nga ju që të ndërmerrni hapa duke e shkarkuar menjëherë nga Komisioni deputeten Labontë Demi-Murtezi. Keni parasyshë se duke heshtur dhe duke qëndruar neutral si Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si Kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ju po i fuqizoni këto narrativa dhe po i kontribuoni diskriminimit të vazhdueshëm dhe përjashtimit të personave LGBTIQ+ në vendin tonë.

Do te mbetemi duke pritur per një përgjigje nga ana juaj sa më herët që është e mundur. Me respekt: Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut - Kosovë (YIHR KS) Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova) Qendra per Zvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD) Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) Civil Rights Defenders

Lajme të ngjashme