Dikur: Fjalimi drithërues i Albulena Haxhiut për reduktimet e rrymës dhe faturat e shtrenjta
Me ardhjen në pushtet, ministrja Albulena Haxhiu si duket ka dalë në “dritë” pasi nuk po flet më për problemet me energji elektrike. Por, gjatë kohës sa ishte në opozitë, Haxhiut i pengonte terri por edhe faturat ‘e fryra’ për energjinë elektrike.
Megjithëse faturat janë fryrë, e për më tepër po përmendet edhe dyfishimi i çmimit të tyre, dhe megjithëse ka probleme me reduktime qysh në muajt e verës, Haxhiu nuk po flet më për këto probleme.
Së fundi, znj. Haxhiu ‘iu rehatuar’ edhe burri i saj, Albani, që po ashtu u mvesh me pushtet në Ministrinë e Pushtetit Lokal.
Por, ajo ishte denoncuese e gjendjes me energjinë në të kaluarën. Në një fjalim të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo nuk ka mëdyshje se kujt i takon faji për problemet e Kosovës me energjinë.
“Gjendja energjetike sot në Kosovë është e rëndë. Përveç në Prishtinë, qytetarët po ballafaqohen me mungesë të energjisë elektrike në secilin qytetar dhe fshat...” – nis fjalimin e saj znj. Haxhiu Krasniqi.
“...kjo gjendje është e papërballueshme sidomos për qytetarët që jetojnë në varfëri, dhe ata që jetojnë në zona më të thella.” - vazhdonte ajo.
Për fat të keq, as për qytetarët në varfëri e as për ata që jetojnë nëpër zona më të thella nuk ka më fjalë e as përfaqësim politik.
Haxhiu po ashtu i kërkonte përgjegjësi qeverisë për “faturat e rrymës” dhe për rrymën e paguar për qytetarët serbë në veri të vendit.

