Deputeti Kurti emëron Drejtor të Agjencisë për Regjistrim Civil
Në një mbledhje elektronike të qeverisë në detyrë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti ka emëruar Jetmir Hazirin në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil.
Krahas këtij vendimi, në mbledhjen elektronike janë marrë edhe dy vendime financiare.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se është:
“Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje, sipas tabelave të bashkangjitura në aneksin A (Kursimet) dhe në aneksin B (Ndarjet);
Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për Riformulimin e pikës 2. të Vendimit të Qeverisë Nr. 09/273 të datës 31 tetor 2025;
Emëruar z. Jetmir Hazirin në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Regjistrim Civil”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, përveç kufizimeve ligjore që si qeveri në detyrë nuk mund të inicojë procedura për emërime të reja në agjencitë e pavarura shtetërore, Gjykata Supreme ka përcaktuar që ka konflikt interesi dhe është antikushtetuese mbajtja e dy pushteteve, deputet dhe pjesëtarë qeverie: dhe për më tepër, edhe në vendimet gjyqësore në PZAP, Albin Kurti, përcaktohet si "Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës" dhe jo kryeministër në detyrë.