Deputeti Berisha mbështet Marshin për Liri dhe fton qytetarët t’i bashkohen më 12 shtator
Deputeti nga komuniteti egjiptian dhe kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka shprehur mbështetjen e tij për “Marshin për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nga ora 14:00.
Berisha ka bërë të ditur se sot është takuar me Elizën dhe Ridvanin, dy nga organizatorët e marshit, i cili, sipas tij, organizohet në mbështetje të lirimit të plotë nga Gjykata Speciale në Hagë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në postimin e tij, Berisha ka shkruar se vendimi i Gjykatës pritet të jepet më 16 shtator.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, pa dallim, që t’i bashkohen marshit, duke ftuar në mënyrë të veçantë edhe pjesëtarët e Komunitetit Egjiptian.
“Ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim, e në veçanti Komunitetin Egjiptian, që t’i bashkohen këtij marshi dhe të shprehim së bashku mbështetjen tonë”, ka shkruar Berisha.
“Bashkë për Liri, Kosova i pret çlirimtarët!”, ka përfunduar ai.