Dënimi i Arsiqit, gjykata tregon se për çka akuzohej: Dëbim, plaçkitje e vrasje të shqiptarëve
Sot është dënuar Dejan Arsiq me 13 vite burgim për akuzën për krime lufte ndaj shqiptarëve gjatë vitit 1999.
Në lidhje me këtë dënim, ka reaguar edhe Gjykata Themelore, e cila e kishte ngritur këtë aktakuzë. Në komunikatën e Gjykatës Themelore tregohen edhe një herë akuzat me të cilat përballej Arsiq, i cili tashmë është dënuar.
“D.A është akuzuar se në bashkëkryerje me pjestarë tjerë të policisë serbe dhe grupe paramilitare, të përbërë nga shumica të nacionalitetit serb, në periudhën e luftës në Kosovë, konkretisht prej muajit Janar-Qershor të vitit 1999, fillimisht kishte marr pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, pastaj kishin filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ja kishin vënë zjarrin, po ashtu kishin marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, e disa nga ta i kishin plagosur dhe vrarë. I akuzuari D.A po ashtu kishte marr pjesë në ekzekutimin e viktimës, tani të ndjerit B.SH, ashtu që me datë 20.04.1999, në fshatin Butovc, Komuna e Prishtinës në vendin e quajtur “Varrezat e Maqedoncve” deri sa viktima kishte qenë duke ecur, e kishin gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kishin goditur, atëherë e kishin urdhëruar të dëmtuarin A.K, në atë kohë 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.SH ta mbajë në shpinë, edhe pse i dëmtuari kishte pasur lëndime të konsiderueshmë fizike, pasi që paraprakisht i pandehuri D.A e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokoleve shtesë.” – shkruhet në reagim.